Kosova vlon nga hajnat: Rreth 200 grabitje të armatosura për një vit

Grabitjet e armatosura gjatë vitit të kaluar kanë qenë të larta.

Cak i ‘maskave’ kanë qenë filialet bankare-këmbimoret, kazionotë-bastoret sportive, pompat e derivateve të naftës, marketet, shtëpitë private e kalimtarët e rastit.

Sipas një raporti të inspektimit policor, numri i grabitjeve me armë është rritur, ku Prishtina dhe Peja kanë evidentuar numrin më të madh të rasteve.

Ndërsa, rënie e numrit të grabitjeve ka në Gjakovë e në Mitrovicë të Jugut. Sipas këtij raporti, nga 297 grabitje që kanë ndodh në vitin 2018, prej tyre 199 kanë qenë të armatosura.

“Sipas të dhënave të siguruara, gjatë vitit 2018 grabitjet dhe grabitjet me armë kanë shënuar ngritje në nivel vendi për 2% përkatësisht 0.5%.

DRP- Prishtinë ka evidentuar numrin më të madh të grabitjeve me armë (59% përkatësisht 63% e numrit të përgjithshëm të grabitjeve me armë në nivel vendi për vitet 2017-2018).

Ngritje të numrit të rasteve të grabitjeve me armë ka shënuar DRP- Gjilan dhe DRP-Pejë me nga 50% secila, si dhe DRP- Prishtinë me 8%. Shumica e DRP-ve kanë shënuar rënie të numrit të rasteve të grabitjeve me armë. Rënien më të madhe të numrit të rasteve të grabitjeve me armë, të shprehur në përqindje e kanë shënuar DRP- Mitrovicë Veriu me 83%, DRP- Gjakovë me 40%, DRP- Mitrovicë Jugu me 28%, DRP- Prizren me 27% dhe DRP- Ferizaj me 21%”, thuhet në këtë raport të IPK-së.

Në këtë raport janë dhënë detaje edhe për vendet dhe ditët kur kanë ndodhur këto grabitje.

Prishtina del të jetë më e atakuar nga grabitjet, ku është koncentruar numër i madh i njerëzve, bizneseve, bankave, institucioneve mikrofinanciare, bastoreve- lojërave të fatit, pikave të karburantit dhe marketeve.

Departamenti i Inspektimit ka bërë edhe një analizë në zonat ku kanë ndodh këto grabitje.

Sipas tyre, në vitin 2018, 59% e grabitjeve me armë kanë ndodhur në zona ubrane, ndërsa 41% në zonat rurale. Sa i përket intervalit kohor të ndodhjes, 28% e grabitjeve kanë ndodhur në kohën 02:00-04:00 e kështu me radhë.

Ndërsa, numri më i madh i rasteve kanë ndodhur gjatë ditëve, e hënë dhe e diele, që përbëjnë ditët, gjatë të cilave kanë ndodh diku gjysma e rasteve, ndërsa, dita e javës gjatë së cilës është evidentuar numër i vogël i rasteve të grabitjes është e mërkurë, transmeton Indeksonline.

“Sipas të dhënave të siguruara nga Sektorët Rajonal të Hetimeve, të ngarkuar me hetimin e grabitjeve, përfshirë edhe grabitjet me armë, muajt më të ngarkuar me raste të grabitjeve me armë në vitin 2018 në nivel vendi dalin të jenë muaji gusht dhe shtator me nga 14% të të gjitha rasteve të grabitjeve me armë, kurse muajt me numrin më të ulët të grabitjeve me armë janë muaji shkurt, prill dhe maj, të tre këta muaj përfaqësohen me nga 6% secila nga totali i përgjithshëm i grabitjeve me armë”, thuhet në raportin e inspektimit.

Pika më të atakuara kanë qenë pikat e karburantit, bankat – institucionet mikro – financiare, kazinot, shtëpi banimi, lojërat e fatit – bastoret sportive, barnatoret, rrugët – hekurudha, parkingjet, dyqanet/supermarketet, argjendaritë, zyrat komerciale, hotelet – restorantet, etj.

Ndërsa, mosanëtarësimi i vendit në Interpol është vlerësuar si pengesë e madhe në shkëmbimin e informatave për personat e ri-atdhesuar që në shtete të ndryshme kanë të kaluar kriminale.

Tek të gjitha planet e kontrolluara, vlerësimi i rrezikut nga grabitjet me armë është vlerësuar i shkallës mesatar – i lartë.

Koha mesatare e reagimit në vendin e ngjarjes për zonën urbane është llogaritur të jetë maksimumi 15 minuta, ndërsa për zonën rurale maksimum 30 minuta. Më poshtë shihni tabelën se si ka qenë reagimi i Policisë në këto raste.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, brenda Bashkimit Evropian shkallën më të lartë të grabitjeve në vitin 2016 për 100.000 banorë e ka pasur Franca, kurse më të ulët e ka pasur Sllovakia (153 përkatësisht 10 grabitje për 100.000 banorë3 ).

Serbia e Mali i Zi kanë pasur shkallën 27, përkatësisht 20 grabitje për 100.000 banorë, kurse për Kosovën nuk ka pasur matje të tilla.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.