Deputetë më gjysmë orari, por me rroga të plota

Deputetë më gjysmë orari, por me rroga të plota
F K

11.08.2019 / Lajme

Qeveria që pritet të shpërndahet më 22 gusht ka qenë ndër më të dobëtat që ka pasur vendi. Përformancat pa kuorum e kanë shoqëruar Kuvendin e legjislaturës së gjashtë.

Deputetët me gjysmë orari, por me rroga të plota, plus përfitime të tjera financiare, nuk ia kanë dalë të përmbushin tri funksionet themelore – ligjvënien, mbikëqyrjen dhe përfaqësimin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Tensionet, polarizimet dhe përplasjet mes pushtetit dhe opozitës kanë thelluar degradimin e institucionit më të lartë përfaqësues. Kulmi ishte aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila shembi Delegacionin Shtetëror të cilin e shpiku Qeveria, e votuan partitë në pushtet dhe një pjesë e opozitës. Por kjo nuk përbënte arsyen e mjaftueshme që legjislatura aktuale të pushojë së ekzistuari.

Ishte dorëheqja e papritur e kryeministrit, e cila shtyu deputetët t’ia shkurtojnë vetes mandatin, edhe pse Kushtetuta lejon mundësinë e krijimit të një qeverie tjetër, pa shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në anën tjetër, të pakta janë çështjet për të cilat institucioni më i lartë do të mbahet mend, e për të cilat pati konsensus. Është votimi i ligjeve për krijimin e ushtrisë, si dhe pakoja e ligjeve që lidhet me integrimet evropiane.

RAPORTO