Pezullimi i Ligjit për Paga BSPK thirrje të mos rrezikohet shteti me greva, SBAShK-u pret vendimin e anëtarësisë

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga ka ngjallur pakënaqësi te shumë sindikata kështu duke organizuar greva dy orëshe.

Por kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini ka thënër thirrje të gjithë drejtuesve të sindikateve të cilat kanë paralajmëruar grevë, ta respektojnë vendimin e Kushtetueses për pezullimin e Ligjit të Pagave, pasi që sipas tij këto sindikata nuk do të duhet që përmes grevave të rrezikojnë sigurinë e shtetit të Kosovës.

Në një deklaratë për gazetën, Ajdini ka thënë se sindikalistët duhet të veprojnë me gjakftohtësi e ta respektojnë vendimin e Gjykatës. Sipas tij, nuk është koha për greva përderisa qeveria e re nuk është formuar ende, shkruan sot Koha Ditore.

“BSPK-ja nuk i mbështet sindikatat kur ato rrezikojnë sigurinë e shtetit. Mbi të gjitha është shteti, bile edhe mbi familjen. Kështu që, unë jam kundër atyre që e rrezikojnë shtetin. Kërkoj nga sindikatat që të respektohen shteti dhe Kushtetuta e të mos na vishet një epitet që sindikatat janë kundër shtetit ose po duan ta rrënojnë ekonominë. Duhet të durojmë edhe pak, kemi punuar edhe pa paga, edhe me paga më të ulëta”, ka thënë Ajdini.

Po ashtu edhe Ajdini ka thënë se Ligji për Paga për disa kategori është diskriminues, por tashmë është një vendim i Gjykatës, ku edhe duhet të pritet deri në një vendim tjetër apo edhe ndonjë korrigjim i ligjit.

Ai ka thënë se faji për këto pakënaqësi është tek Qeveria, e cila e ka miratuar Ligjin e Pagave.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se për kërkesa të anëtarëve të SBASHK-ut nuk e dëgjojnë askënd. Deklaratat e kryetarit të BSPK-së i ka quajtur të ngutshme.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.