​Shërbimi ushtarak i detyrueshëm nuk është në plan për dy vitet e para të Qeverisë Kurti

​Shërbimi ushtarak i detyrueshëm nuk është në plan për dy vitet e para të Qeverisë Kurti
Çlirim Gashi

05.05.2021 / Lajme

Përkundër që ishte përmendur se shërbimi ushtarak në Kosovë do të bëhet i detyrueshëm, një gjë e tillë nuk është në plan për dy vitet e para të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Përgjatë raportimit para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se kanë nevojë për mbështetje sa i përket rritjes së buxhetit për FSK-në dhe lirim nga doganat.

Ndër tjerash në raportim Mehaj ka theksuar se prioritet i tij është fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike civile në FSK që sipas tij është e dobësuar.

Në raportimin e tij të parë para deputetëve, Mehaj është përgjigjur edhe rreth mundësisë për shërbimin e obligueshëm ushtarak, për çka ka thënë se një plan i tillë nuk pritet të bëhet në dy vitet e para të qeverisjes.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka folur për objektivat e ministrisë të cilën e drejton që prej 23 marsit të këtij viti ku ka theksuar që synojnë forcimin ushtarak, rritjen e transparencës, zgjerimin e bashkëpunimit bilateral anëtarësimin në organizata e pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare.

“Sa i përket profesionit, kam qenë edhe ushtarak edhe civil në Norvegji, kështu që puna duhet të dëshmojë të vetën. Besoj që një plan do të kemi në të ardhmen por së pari merr kohë, siç e dini duhen shumë dikastere të involvuara për të hartuar një plan sa i përket detyrimit ushtarak, sa buxhet duhet për detyrim ushtarak, këtu duhet me të vërtetë edhe më shumë kohë, sepse së pari duhet një plan gjithëpërfshirës, tani duhet kazerma ushtarake, vende për me t’i kryer këto detyra sa i përket obligimit ushtarak, kështu në të ardhmen do ju përgjigjem, por nuk besoj që në këtë vitin e parë e të dytin është e mundur të realizojmë këtë projekt, por në plan qeverisës është”, ka thënë ai.

RAPORTO