​Qindra raste të dhunës në shkolla për 5 muaj, fajësohen institucionet

25.06.2022

Gjatë ditës së djeshme ishte kryetemë se si Policia e Kosovës përmes një aksioni arriti që në disa shkolla të mesme në qytetin e Ferizajt të konfiskojnë armë të ftohta, duke nisur nga boksat e metalit e deri tek thikat, po ashtu ata konfiskuan edhe armë zjarri. Ky rast ka ngritur debatin se duhet bërë […]

​Qindra raste të dhunës në shkolla për 5 muaj, fajësohen institucionet Foto: Ilustrim

Gjatë ditës së djeshme ishte kryetemë se si Policia e Kosovës përmes një aksioni arriti që në disa shkolla të mesme në qytetin e Ferizajt të konfiskojnë armë të ftohta, duke nisur nga boksat e metalit e deri tek thikat, po ashtu ata konfiskuan edhe armë zjarri.

Ky rast ka ngritur debatin se duhet bërë më shumë rreth sigurisë në dhe rreth institucioneve shkollore.

E “fajin” apo përgjegjës për këtë dukuri shqetësuese, organizatat dhe njohësit e çështjeve të arsimit thojnë se janë nga neglizhenca e mungesa e psikologëve, ndërkaq nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Invoacionit (MASHTI) thonë se ka ngritur Forumin Nacional për Shkolla Miqësore për të parandaluar këto raste të dhunës në institucionet shkollore.

Në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës, thuhet se vetëm për pesë muajt e parë të vitit 2022 janë raportuar 288 raste të ndryshme të dhunës në shkolla.

“Për periudhën janar – maj 2022 janë raportuar 288 raste/incidente në shkolla dhe përreth tyre në nivel vendi. Nga rastet më të shpeshta të raportuara përfshihen: ‘Lëndim i lehtë trupor’, ‘Dëmtim prone’, ‘Vjedhje’ e të tjera”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Përpos dhunës fizike, së fundmi një arsimtar në një shkollë në Pejë është pezulluar pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të klasës së shtatë. Kjo përbën shqetësim tjetër edhe për organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Bukureza Surdulli nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë deklaroi për KosovaPress se siguria në shkolla viteve të fundit ka shënuar rënie dhe për këtë arsye ka rritje të rasteve të dhunës, madje sipas saj, ka raportime që në shkolla po ndodh edhe dhuna seksuale.

“Sa i përket dhunës në shkolla, ne si koalicion kemi vënë re bashkë me organizatat anëtare që viteve të fundit ka rënë siguria në shkolla. Dhe për këtë arsye edhe numri i rasteve të dhunës është në rritje… Me fokus ne kemi me pas aktivitete edhe sa i përket dhunës seksuale të fëmijëve, por edhe këtu do të fokusohemi në shkolla sepse kemi raportime që një dhunë e tillë po ndodh edhe në ambientet ku nuk ishte dashur të ndodhë d.m.th. në shkolla… Në Kosovë nuk kemi një sistem te fragmentuar të ofrimit të shërbimeve për dhunë.

Ende shërbimet arsimore, shërbimet sociale dhe shëndetësore nuk janë të integruara, për këtë arsye edhe rritja e numrit të dhunës në shkolla është në rritje, sepse në shkolla nuk ka edhe psikologë të mjaftueshëm, ku ka raste kur një psikolog punon në më shumë se një shkollë, d.m.th. në dy apo tre shkolla ndahet me një psikolog, mungesa e një psikologu, e një profesionisti, pedagogu, punëtori social, të gjitha këto bashkë bëjnë që sistemi të dështojë dhe fëmijët të mos kenë mbrojtje nga dhuna”, theksoi Surdolli.

Rinor Qehaja nga Instituti Edguard, tha se institucionet përgjegjëse duhet të kenë një përkushtim më të madh karshi rasteve të dhunës.

“Institucionet tona e kanë të obligueshme konform ligjit që të kenë një përkushtim më të madh karshi rasteve të dhunës. Rikujtoj që dhuna vazhdon të jetë prezentë për shkak neglizhencës institucionale, pra sikur të kishim një institucion të shkollës, drejtori komunale, por edhe një qeverisje qendrore më të përkushtuar dhe më të vullnetshme, në bindjen time rastet e dhunës do të ishin shumë më minimale”, u shpreh Qehaja.