​Prizreni edhe sot pret rezultate për COVID-19

Kosova ka hyrë në ditën e katër ku regjistron më shumë të shëruar sesa të infektuar me koronavirus.

Megjithatë, në komunën e Prizrenit, në dy raportet e fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, janë regjistruar nëntë raste të reja me Covid-19. Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë thotë se dje janë marrë 18 mostra dhe sonte pritet të dalin rezultatet e tyre.

Në pasqyrën e IKShP-së në Kosovë, të datës 29 prill u treguan nëntë raste të reja të infektuar, prej tyre katër u regjistruan në komunën e Prizrenit, si raste kontakti.

Ndërsa në raportin e mbrëmshëm të Institutit u publikuan shtatë raste të reja me Covid-19 kur prej tyre pesë ishin nga komuna e Prizrenit.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Visar Shehu thotë për KosovaPress, se këto raste kanë dalë nga analizat që janë bërë dy ditë më parë.

“21 mostra janë marrë, 11 kane qenë pacientë të Hemodializës dhe 10 kanë qenë persona të kontaktit, nga këta pesë kanë rezultuar pozitiv”, tregon Shehu.

Ai tregon që dje janë bërë analiza të tjera në komunën e Prizrenit, ku prej tyre tetë janë pacientë ndërsa pjesa tjetër raste kontakti.

“Dje janë marrë 18 mostra nga ta janë shtatë ose tetë pacientë, ndërsa pjesa tjetër janë të kontaktit, presim sot me i marrë rezultatet për ta”, thotë Shehu.

Shehu thotë se të gjitha rastet në Prizren janë raste kontakti, e që burimi i infeksionit është reparti i Hemodializës në spitalin e qytetit.

Megjithatë, ai thekson se gjendja e pacientëve të infektuar vazhdon të jenë stabile.

“Fatkeqësisht ditët e fundit testimet që po bëhen zakonisht vinë prej pacientëve dhe personave kontaktues që kanë rrjedh nga reparti i Hemodializës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, dhe aty është për momentin burimi kryesor i infeksionit”, thotë Shehu.

Deri tani në komunën e Prizrenit janë shënuar 70 persona të infektuar me Covid-19, dy kanë humbur jetën dhe 15 janë shëruar.

Shehu tregon që pesë prej tyre janë në Klinikën Infektive në Prishtinë, dhe gjendja e tyre është stabile.

“Gjithsej të infektuar me virusin Covid-19 janë 70 persona në komunën e Prizrenit, nga ta 15 tashmë janë të shëruar, dy fatkeqësisht që kanë ndërruar jetë dhe nga rastet e hapura janë 53 që janë pozitiv me virusin Covid-19, nga këta 5 janë në Klinikën Infektive në Prishtinë”, thotë ai.

Komuna e Prizrenit është komuna e katërt me numrin më të madh të personave të infektuar, pas Ferizajt, Malishevës dhe Pejës.

Deri tani në të gjithë Kosovën, me Covid-19 janë prekur 806 persona, 271 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur.

Në ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar raste të shëruara më shumë se të infektuar.

Në raportin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të datës 29 prill kanë dalë 17 pacientë të shëruar, ndërsa raporti i darës 30 tregon për 22 pacientë të shëruar.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.