​Mbi 70 mjekë kanë lënë Kosovën për gjashtë muaj

​Mbi 70 mjekë kanë lënë Kosovën për gjashtë muaj
Fjolla Hoxha

14.07.2021 / Lajme

Mbi 100 mjekë specialistë çdo vit kërkojnë të ikin nga Kosova. Ndërkohë në vend gjatë vitit diplomojnë rreth 150 mjekë.

Shumë shpesh janë ngritur shqetësime për këtë dukuri që po ndodh prej vitesh.

Vlerësohet se për t’i mbajtur mjekët specialistë në vend, duhet paga më të larta dhe kushte më të mira të punës.

Në pesë mujorin e parë të këtij viti 54 mjekë specialistë kanë aplikuar në Odën e Mjekëve që t’u lëshohet vërtetim për të ikur nga Kosova. Pas përfundimit të specializimit, mjekët po largohen jashtë Kosovës, për shkak të një page më lartë dhe kushteve më të mira të punës.

Pacientët dhe familjarët e tyre, çdo ditë po ballafaqohen me korrupsion. Të njëjtit detyrohen të paguajnë nga xhepi për të pakta shërbime që marrin, ndërkohë që atyre po u shkelet edhe e drejta për konfidencialitet.

Para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi janë përmendur të gjitha të metat e sistemit shëndetësorë, ku një qytetar ka treguar edhe për përvojën jo të mirë që ka pasur. I njëjti ka thënë se pacientëve nuk iu garantohen të drejta të barabarta në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka folur edhe për numrin e madh të profesionistëve shëndetësorë që po dalin jashtë vendit.

“Në si punëtorë shëndetësor nuk e kemi një ligj për të drejtat dhe përgjegjësitë. Jemi i vetmi shtet që nuk e kemi këtë ligj. Më në fund ka filluar, ka filluar koncept-dokumenti… Unë mendoj se ëshë keqinterpretuar për një kohë të gjatë që punëtorët shëndetësorë po kërkojnë paga.

Problemi kryesor është te kushtet e punës që automatikisht ndikon në cilësinë e shërbimeve dhe në siguri. Kushtet e punës janë ato që mjekët po shkojnë jashtë. Shifrat e ditës së sotme janë 72 mjekë për gjashtë muaj, kjo deri në fund të vitit do të jetë 150 mjekë”, është shprehur ai.

Ndërsa, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi ka theksuar faktin se shumë pacientë nuk kanë qasje në barna, e kjo edhe për shkak se shumë prej barnatoreve nuk janë të furnizuar me barna të nevojshme.

“Çështja e parë është qasja në barna. A ka pacienti qasje në barna? Në shumë raste nuk ka për shkak se Kosova është vend i vogël dhe kompanitë farmaceutike botërore nuk kanë interes që të regjistrojnë barnat e tyre në Kosovë dhe kjo pastaj ka bërë që udhëzimi administrativ 2/2014, në atë kohë kemi prezantuar një udhëzim të tillë dhe është miratuar nga Ferid Agani, që ua ka mundësuar pacientëve të kenë qasje dhe ajo siguri që kemi dalur në atë kohë ka qenë që këto raste kur barnat janë të paregjistruara të vijnë direkt nga Bashkimi Evropian. Sepse ky udhëzim ofron mundësinë e importit për barnat që mungojnë në Kosovë, vetëm nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar Jakupi.

Ndryshe javë më parë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, bëri të ditur se kërkesat për të ikur nga Kosova kanë vazhduar edhe gjatë pandemisë.

“Për të mos ikur duhet t’u krijohen kushte mjekëve. Pagesat së pari duhet të jenë dinjitoze. Nëse vazhdohet me paga të një specialisti prej 600 euro në muaj, nuk ka perspektivë.

Çdo vit përmbi 100 mjekë kërkojnë të dalin jashtë vendit. Imagjino situatën pas 10 vjetësh, sepse këta që janë aktualisht janë duke u plakur, të rinjtë po dalin jashtë vendit’’, tha Syla, transmeton RTK.

Nga tani në Physio Cure Clinic edhe trajtim i rrudhave, pikave të zeza dhe gjithçka për fytyrën tuaj

Pastrimi i fytyrës shërben për mirëmbajtjen e shëndetit të lëkures, kryerjen normale të funksioneve të qelizave si dhe ndriçimin e...

Lexo më shumë

Të fundit