​Lansohen doracakët për mësimdhënës lidhur me edukimin gjithëpërfshirës seksual

​Lansohen doracakët për mësimdhënës lidhur me edukimin gjithëpërfshirës seksual
Çlirim Gashi

04.06.2021 / Lajme

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) me mbështetjen e UNFPA-së, ka lansuar Doracakët për Mësimdhënës për Edukimin Gjithëpërfshirës Seksual, të cilët përfshijnë përmbajtje që mund të përdoren nga klasa e parë deri në klasën e 12-të.

Lansimi i doracakëve të hartuar nga ekspertë të MAShTI-t, IKShPK-së dhe mësimdhënës u bë me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Higjienës Menstruale.

Në ceremoninë e lansimit të këtyre doracakëve, ministrja e Arbërie Nagavci tha se është i rëndësishëm bashkëpunimi me prindër dhe  mësimdhënës kompetent për parandalimin dhe luftimin e abuzimit seksual ndaj fëmijëve, dhunës seksuale dhe shfrytëzimit seksual.

Ajo shtoi se qëllimi i edukimit seksual është që t’u ofrojë nxënësve njohuri dhe aftësi të cilat do t’i udhëheqin ata drejtë jetesës së shëndetshme që të jenë në gjendje për të marrë përsipër përgjegjësinë për shëndetin dhe mirëqenien e tyre dhe të tjerëve.

Ministrja Nagavci shtoi se MAShTI ka bërë progres përmes Kornizës së Kurrikulës së Kosovës drejt përfshirjes së përmbajtjes së edukimit seksual në mënyrë që të shkojë përtej biologjisë dhe riprodhimit dhe t’i pajisë fëmijët me njohuri për trupin e tyre, të drejtat e tyre dhe t’i informojë ata për barazinë gjinore, identitetin gjinor dhe marrëdhëniet e shëndetshme.

Ajo falënderoi UNFPA-në për mbështetjen që ka dhënë në procesin e hartimit të kurrikulave lëndore me fokus te edukimi seksual gjithëpërfshirës, hartimin e doracakëve për mësimdhënës, videove dhe trajnimit të mësimdhënësve.

Përfaqësuesi i UNFPA për Bosnjën dhe Hercegovinën, Drejtor për Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kosovën, John Mosoti, ndër të tjera theksoi është shumë me rëndësi dhe e drejtë e secilit njeri të ketë njohuri për sjelljet dhe jetën seksuale sepse mësimet që marrin në media e rrjete sociale shpesh janë toksike.

Ndërsa, Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tha se është shumë i rëndësishëm diskutimi dhe bashkëbisedimi me prindërit, dhe se ky manual është i rëndësishëm për mësimdhënësit.

Visare Mujko-Nimani Udhëheqëse e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë theksoi se fëmijët duhet të kenë informata për edukimin seksual varësisht prej moshës që e kanë, fillimisht informata bazike e më pas duhet të shkojnë duke i plotësuar ato.

Këto mësime të nxënësve në shkolla ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të të rinjve dhe mbrojtjen e tyre ndaj abuzimeve seksuale, dhunës seksuale dhe ndaj infeksioneve të transmetueshme seksualisht.

RAPORTO