​Avokati i Popullit kërkon vëmendjen e institucioneve për rastet e dhunës në familje

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, është deklaruar rreth dhunës në familje gjatë pandemisë COVID-19.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, përmes një deklarate drejtuar medieve, ka folur rreth dhunës në familje gjatë pandemisë me COVID-19.

Në këtë deklaratë, Jashari, i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos përdorin dhunë gjatë kësaj kohe.

Tutje Jashari po ashtu ka kërkuar nga institucionet që për të gjitha gratë që janë viktimë e dhunës gjatë kësaj kohe, të sigurohet një ambient i sigurt dhe i pastër, ku të mos ketë ndonjë mundësi që viktimat të preken me koronavirus, shkruan lajmi.net.

Deklarata e plotë e Avokatit të Popullit:

Edhe para shfaqjes së pandemisë COVID-19, dhuna në familje ishte tashmë një nga shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut. Institucioni i Avokatit të Popullit, gjatë periudhës së luftimit të përhapjes së pandemisë dhe masave për qytetarët të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, është vënë në dijeni për rritjen e numrit të raportimit të rasteve të dhunës në familje. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës, në muajin mars të vitit 2019 janë raportuar 124 raste, ndërsa gjatë muajit mars të vitit 2020 janë raportuar 169 raste.

Është evident që numri i raportimit të rasteve të dhunës në familje ka shënuar 36% rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Aktualisht në të gjitha strehimoret në nivel vendi, numri i viktimave të strehuara është 43.

Derisa emergjenca shëndetësore ka bërë që puna në gjykata të ngadalësohet dhe seancat gjyqësore jourgjente të shtyhen, siguria e viktimës dhe e fëmijëve të saj duhet të mbetet shqetësimi parësor për institucionet e zbatimit të ligjit dhe për autoritetet gjyqësore për veprim të menjëhershëm, parandalim dhe mbrojtje.

Në përputhje me rrethanat, institucionet shtetërore mbesin të obliguara ndaj detyrimeve të tyre për t’u ofruar viktimave mbrojtje të përshtatshme dhe të menjëhershme nga rreziku i dhunës.

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen te detyrimi i shtetit ndaj standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për të ushtruar kujdesin e duhur për të parandaluar, hetuar, ndëshkuar dhe për të siguruar dëmshpërblim për veprat e dhunës, në përputhje me detyrimet e tyre sipas Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

Në një situatë të rritjes së numrit të rasteve të dhunës, vlerësimi dhe menaxhimi i rrezikut për viktimat e dhunës mbetet qenësor. Vëmendje duhet t’i kushtohet gjithashtu nevojës së mbështetjes financiare nga e cila do të varen shumë gra pasi të zhvendosen në një strehimore për viktimat e dhunës.

Mbetet e një rëndësie të veçante që viktimat e dhunës në familje të qëndrojnë në ambient të sigurt, larg dhunës së ushtruar mbi to, e mbi të gjitha në një ambient i cili është po aq i sigurt nga mbrojtja e infektimit me virusin COVID-19.

Avokati i Popullit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos rezultojnë me përdorimin e asnjë lloji të dhunës kundër familjarëve të tyre, e sidomos kundër kategorive më të cenuara, siç janë: gratë, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Në anën tjetër, çdo lloj veprimi i cili cenon integritetin fizik të qytetarëve, duke përfshirë edhe dhunën në familje, duhet të raportohet te autoritetet, ashtu që institucionet të kenë mundësinë që të garantojnë siguri për jetën e çdo qytetari në vend, edhe gjatë kohës së pandemisë.

Jua rikujtojmë se Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet në shërbim të qytetarëve, gjithherë kur mund të konsiderojnë se autoritetet publike kanë shkelur apo nuk i kanë garantuar të drejtat e tyre themelore, të cilat burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga ligjet në fuqi, por edhe nga instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që gjejnë zbatim edhe në Republikën e Kosovës.

RAPORTO