Përurohet salla e sportit në SHFMU “Shaban Mazreku” në Sopijë
Nxënësit e shkollës së mesme të ulët “Shaban Mazreku” në Sopijë, nga sot janë bërë me sallë sportive.
Sot është bërë përurimi dhe hapja e sallës së sportit në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Shaban Mazreku” në Sopijë. Në ceremoninë e përurimit, krahas nxënësve, mësimdhënësve dhe udhëheqjes së shkollës, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, drejtori për arsim, Remzi Bajselmani, e drejtor e zyrtarë tjerë komunal.
Me rastin e përurimit nxënësit dhe mësimdhënësit janë uruar, për këtë objekt sportiv, i cili ka vlerë të madhe, jo vetëm për zhvillimin e orëve të edukatës fizike, por edhe për zhvillimin e sportit në përgjithësi.
Ky objekt i sportit, është i ndërtuar sipas standardeve bashkohore dhe i plotëson nevojat për zhvillimin e të gjitha sporteve që zhvillohen në salla të mbyllura.
Salla e re sportive në Sopijë, për ndërtimin e së cilës Komuna e Suharekës ka nënshkruar kontratë prej 268,480.52 euro është një investim i rëndësishëm që do të shërbejë për zhvillimin e sporteve si volejbolli, futbolli dhe basketbolli. Një hapësirë moderne që inkurajon aktivitetin fizik dhe mundësitë për të rinjtë e komunitetit.