Delegacioni i Komunës së Suharekës merr pjesë në varrimin e humanistes Johana Schwab Erika

03.07.2024

Suharekë, Kosovë – 2 Korrik 2024 – Një delegacion nga Komuna e Suharekës është nisur për të marrë pjesë në varrimin e humanistes së madhe austriake Johana Schwab Erika, e njohur gjithashtu si “Motra Johana”. Humanistja Johana ndërroi jetë dje në moshën 90 vjeçare.

Delegacioni i Komunës së Suharekës merr pjesë në varrimin e humanistes Johana Schwab Erika Foto: Ilustrim

Motra Johana ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Komunën e Suharekës përmes ndihmave të saj të vazhdueshme. Qytetarët e Suharekës e kanë njohur dhe e kanë respektuar atë për kontributet e saj të mëdha, veçanërisht në fushën e arsimit. Përmes saj janë ndërtuar dhe riparuar disa shkolla nëpër fshatrat e Suharekës dhe janë funksionalizuar kabinetet e ndryshme me pajisje të nevojshme shkollore.

Në këtë ngjarje të dhimbshme, një delegacion nga Komuna e Suharekës, përfshirë Bexhet Kuçin, kryesues i Kuvendit, Enver Shabanin, drejtor i Shërbimeve Publike, Hamdi Bytyqin, drejtor i Shkollës së Mesme Teknike “Skender Luarasi” dhe përfaqësuesin e Shoqatës së Bizneseve në Suharekë, Xhevat Muqa, kanë udhëtuar për të marrë pjesë në varrimin e Motra Johanës.

Humanistja Johana Schwab Erika do të kujtohet gjithmonë për veprat e saj të mëdha dhe për ndihmën e pamasë që ka dhënë për komunitetin e Suharekës. Komuna e Suharekës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe.