KB Golden Eagle Ylli kërkon revansh ndaj KB Pejës

Pas një pushimi prej tri javësh, shkaku i “Final 8” të Kupës dhe ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2023, rikthehen duelet e Superligës së Kosovës në basketboll.

Dueli më interesant i xhiros së 26-të do të zhvillohet në Suharekë, ku Golden Eagle Ylli e pret skuadrën e Pejës. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën prej orës 17:00.

Në fakt, këto dy skuadra u përballën edhe në finalen e Kupës së Kosovës, të cilën e fitoi Peja dhe tani Ylli do të kërkojë t’i revanshohet në kuadër të kampionatit. Ylli mbetet ekipi më i suksesshëm deri më tash në pjesën e dytë të këtij edicioni në Superligë. Ka regjistruar gjashtë fitore në po aq ndeshje të zhvilluara dhe zë vendin e tretë në tabelë me 38 pikë, tri më shumë se Peja që është e pesta. Skuadra e Pejës në këtë ndeshje futet pas humbjes që e pësoi në mesjavë nga Vllaznia e Shkodrës në kuadër të Ligës Ballkanike (BIBL). Në këtë ndeshje te Ylli nuk do të luajë përforcimi më i ri, Vander Blue, që u zyrtarizua ditë më parë dhe gjatë karrierës ka regjistruar edhe dhjetë ndeshje në ligën më të fortë në botë, NBA, për skuadrat Boston Celtics e Los Angeles Lakers, shkruan Koha Ditore.

“Pas pushimit prej tri javëve që e patëm, kthehemi në kampionat dhe menjëherë na pret derbi kundër Pejës, që është një ndeshje shumë e vështirë. E njohim mirë Pejën, ekip që na mposhti në finalen e kupës dhe besoj se jemi gati për këtë duel. Mendoj se mund dhe duhet të luajmë më mirë se në ndeshjen finale për të pasur mundësinë ta fitojmë këtë duel. Kjo nuk do të jetë aspak lehtë, por besoj se ekipi do të japë maksimumin për fitore, që do të thoshte shumë për ne në vazhdim të kampionatit për shkak se duam të sigurojmë një pozitë sa më të volitshme për garat e plejofit”, ka thënë të premten trajneri i Yllit, Dragan Radoviq.

Kjo xhiro e Superligës së basketbollit, hapet të shtunën (sot) në Mitrovicë me përballjen ndërmjet Trepçës dhe Feronikelit që nis prej orës 17:00. Dy orë pas këtij takimi, në Prizren do të luhet ndeshja mes Bashkimit dhe Sigal Prishtinës. Prishtina është lidere e Superligës me 39 pikë të mbledhura, katër më shumë se Bashkimi që renditet në pozitën e gjashtë.

Egzon Sadikaj nga Sopija është diagnostifikuar me kancer dhe ka nevojë për ndihmën tuaj

Të nderuar njerëz të vullnetit të mirë, i riu Egzon Sadikaj nga fshati Sopijë e Suharekës është diagnostifikuar me kancer. Shërimi i tij kërkon trajtim jashtë shtetit të Kosovës.

“Ka një javë që jemi përgatitur intensivisht për ndeshjen ndaj Prishtinës, që është shumë e rëndësishme për ne. Prishtina është një ekip cilësor, por ne jemi maksimalisht të motivuar dhe me përkrahjen e tifozëve tanë do ta kërkojmë fitoren. Pres që të angazhohemi maksimalisht dhe të luajmë mirë për të arritur këtë synim“, ka thënë trajneri i Bashkimit, Illmen Bajra.

Ndërkohë, dueli i fundit në kuadër të xhiros së 26-të do të zhvillohet në palestrën “Mizahir Isma”, ku skuadra e Rahovecit e pret Ponte Prizrenin. Ky takim nis prej orës 19:00.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.