Itali, përleshje me thika në diskotekën ‘Utopia’ në Padova, arrestohen dy shqiptarë
Një përshëndetje e thjeshtë ndaj një vajze në diskotekën ‘Utopia’ në Padova ka shkaktuar një përleshje të dhunshme me thika midis dy grupeve, duke lënë të plagosur rëndë dy persona.
Policia italiane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, të moshës 34 dhe 35 vjeç, si të dyshuarit kryesorë për incidentin e ndodhur katër ditë më parë. Urdhërarrestet janë lëshuar nga Prokuroria Publike.
Akuzat ndaj tyre përfshijnë tentativë vrasjeje që ka rezultuar në lëndime të rënda dhe posedim të armës së ftohtë pa leje. Një shtetas moldav 30-vjeçar është plagosur rëndë në sulm, duke marrë disa goditje në trup në pistën e kërcimit të klubit. Si pasojë, ai ka humbur një veshkë, e cila është dashur të hiqet kirurgjikisht nga mjekët, si dhe një pjesë të zorrës së trashë. Një shtetas rus 24-vjeçar është plagosur gjithashtu.
Pas incidentit të rëndë, shefi i policisë Marco Odorisio ka marrë menjëherë masa administrative, duke pezulluar aktivitetin e diskotekës për 4 muaj. Sipas hetuesve, motivi i krimit ka qenë xhelozia.
Autori kryesor i sulmit, një emigrant i paligjshëm në Itali, është kapur pas një ndjekjeje, duke u fshehur në shtëpinë e të dashurës së tij në Venecia. Ai është gjetur i papërgatitur dhe ka tentuar të arratiset, por pa sukses. Gjatë kontrollit të banesës, janë gjetur rrobat që ai kishte veshur natën e sulmit dhe një thikë 22-centimetërshe (kamë) e fshehur në jastëkun ku ai flinte, si dhe një kaçavidë në xhepat e një xhakete.
Më 7 prill, agjentët kanë zbuluar vendin ku fshihej bashkëpunëtori tjetër, gjithashtu shqiptar. Edhe ai është kapur duke u fshehur në shtëpinë e partneres së tij, dhe është sekuestruar një thikë, e cila po ekzaminohet për të parë nëse është arma e përdorur në krim.
Gjithashtu, në banesë janë gjetur të fshehura 20 gram kokainë të ndarë në doza, një peshore precize dhe materiale paketimi, si dhe një shumë parash prej rreth 2 mijë eurosh, që dyshohet se janë përfituar nga trafikimi i drogës, gjë që ka bërë që shqiptari të raportohet edhe për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjeje.
Policia ka deklaruar se shkaku i përleshjes dhe plagosjes në diskotekë ka qenë një përshëndetje miqësore me të dashurën e njërit prej dy sulmuesve, nga ana e moldavit, pasi ai frekuentonte shpesh klubin dhe e njihte atë prej kohësh, raportojnë mediat italiane.