Itali, miratohet ligji i ri për deportimin e emigrantëve
Qeveria italiane miratoi të hënën një ligj të ri që synon të tejkalojë pengesat juridike për zbatimin e marrëveshjes së debatueshme me Shqipërinë për emigrantët. Sipas dekretit të ri, që ka hyrë menjëherë në fuqi, qeveria italiane ka shkurtuar listën e vendeve që i konsideron të sigurta. Emigrantët që nuk do të fitojnë statusin e azilantit nuk do të deportohen drejt vendeve të pasigurta.
Numri i vendeve që Italia i konsideron të sigurta, është zvogëluar tashmë në 19, nga 22 që ishin më parë. Nga lista janë përjashtuar Kameruni, Kolumbia dhe Nigeria.
Vendimi u mor pasi gjykata në Romë rrëzoi masën e ndalimit për 12 emigrantët e parë të dërguar në qendrën e pritjes së emigrantëve në Shqipëri. Gjykata vendosi se vendet e tyre të origjinës, Bangladeshi dhe Egjipi, nuk ishin vende të sigurta për rikthimin e tyre. Pas vendimit të gjykatës, emigrantët u rikthyen në Itali, ku mund të riaplikojnë për azil.
Qeveria vendosi ta bëjë ndryshimin me një akt ligjor, në vend të një vendimi të qeverisë, duke e bërë kështu më të vështirë bllokimin e tij në gjykatë.
“Ligji është në përputhje me vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Hoqëm pra nga lista origjinale tre vende, të cilat gjatë vlerësimit rezultuan se në pjesë të territorit të tyre ka probleme që nuk na lejojnë t’i konsiderojmë plotësisht të sigurta”, tha ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi.
Vendimi i gjykatës së Romë u motivua në veçanti nga një vendim i marrë rishtazi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, e cila vendosi se një vend mund të konsiderohet i sigurt për rikthimin e emigrantëve, vetëm nëse i gjithë territori i atij vendi është i sigurt.
Bllokimi nga gjykatat italiane u bë pengesa e parë ligjore për marrëveshjen pesëvjeçare mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e përkohshëm të rreth 3 mijë emigrantëve në muaj, që kapen në det nga roja bregdetare italiane.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka mbrojtur marrëveshjen e arritur me Shqipërinë, si një “model” të mënyrës së trajtimit të emigrantëve të paligjshëm dhe ndryshimi i ri ligjor përpiqet të ruajë këtë imazh.
“Mbërritëm në këtë pikë, pasi gjithçka e pati origjinën nga një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që është shumë kompleks dhe shumë i mirë-artikuluar dhe ndoshta nuk u kuptua dhe u lexua siç duhet”, tha ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio.
Organizatat e të drejtave të njeriut dhe grupet e aktivistëve në Mesdhe e kanë kritikuar marrëveshjen Itali-Shqipëri, si një precedent i rrezikshëm që shkel ligjet ndërkombëtare. Disa ekspertë ligjore gjithashtu vënë në dukje se as ndryshimet më të fundit të qeverisë italiane nuk do të jenë në gjendje t’u ofrojnë zgjidhje për konfliktet e ardhshme ligjore, pasi vendimet e BE-së mbizotërojnë ndaj ligjeve të vendeve anëtare.