Itali, arrestohet kosovari i kërkuar ndërkombëtarisht për trafik droge
Policia Kufitare Detare italiane në Ankona ka arrestuar një shtetas kosovar 35-vjeçar, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës për të vuajtur një dënim të gjatë me burgim. Arrestimi u krye gjatë kontrolleve rutinë ndaj pasagjerëve dhe mjeteve që mbërrinin me traget nga Shqipëria.
Sipas njoftimit të policisë lokale italiane, të përcjellë nga portali Virgilio dhe Gazeta Express, vëmendja e agjentëve u tërhoq nga sjellja e dyshimtë e pasagjerit, i cili po tentonte t’u shmangej kontrolleve. Megjithë përpjekjen për t’u larguar, ai u ndalua dhe iu nënshtrua një verifikimi më të thelluar.
Kontrolli në sistemin e databazës policore italiane (Interforze) dha sinjal pozitiv, por kërkoi verifikime të mëtejshme. Për këtë arsye, policia italiane kontaktoi drejtpërdrejt autoritetin që kishte lëshuar urdhër-arrestin ndërkombëtar, i cili konfirmoi se personi i ndaluar ishte pikërisht individi i kërkuar.
Sipas autoriteteve italiane, 35-vjeçari ka “precedentë të shumtë penalë” dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimi drejt Kosovës. Ai kërkohej për akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim”. Për këtë vepër penale, sipas një urdhri të lëshuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës më 6 prill 2021, ai ka ende për të vuajtur një dënim maksimal prej 12 vitesh burgim.
Policia italiane kreu kontrolle edhe në automjetin me të cilin udhëtonte i dyshuari, por nuk gjeti asgjë të paligjshme.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore, shtetasi kosovar u dërgua në burgun e Montacutos në Ankona, ku do të qëndrojë në pritje të përfundimit të procedurave të ekstradimit drejt Kosovës.