Afër 120 ditë pune, plus 70 mijë euro për Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”

25.12.2019

Në fund të muajit maj të këtij viti kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj kishte vendosur të shkëpuste kontratën për projektin “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës Ukë Bytyçi” si rezultat i mosrespektimit së afateve kohore nga ana e operatorit ekonomik dhe shkeljeve të kushteve të kontratës. Sipas zyrës së kryetarit deri te shkëputja e […]

Afër 120 ditë pune, plus 70 mijë euro për Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi” Foto: Ilustrim

Në fund të muajit maj të këtij viti kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj kishte vendosur të shkëpuste kontratën për projektin “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës Ukë Bytyçi” si rezultat i mosrespektimit së afateve kohore nga ana e operatorit ekonomik dhe shkeljeve të kushteve të kontratës.

Sipas zyrës së kryetarit deri te shkëputja e kontratës kishte ardhur edhe përkundër insistimit të Komunës së Suharekës, që ky projekt të realizohet, nuk ishte treguar gatishmëri nga ana e operatorit ekonomik sipas kërkesave të autoritetit kontraktues.

Në ditën kur edhe kishte vendosur që të shkëpuste kryetari Muharremaj kishte njoftuar se Komuna e Suharekës do të ndërmerr të gjitha masaj ligjore dhe do të vazhdoj me procedura të reja për këtë projekt, në mënyrë që i njëjti të realizohet në afatin sa më të shpejtë të mundshëm.

Madje në një konferencë për media të mbajtur më datën 5 korrik Muharremaj është zotuar që pjesa e vrazhdë e ndërtimeve të shtëpisë së kulturës do të jetë e gatshme jo më larg se në muajin nëntor të këtij viti.

Më datën 10 korrik në bazë të procedurave tenderuese N.N.SH “TOP PROJEKT” nga Prishtina dhe Komuna e Suharekës kanë lidhur kontratë për “Ndërtimin e shtëpisë së Kulturës, Ukë Bytyçi-Faza e I-rë”. Sipas kërkesës së Komunës së Suharekës në këtë kontratë punët duhet të përfundojnë jo më shumë se 90 ditë sipas dinamikës së punës.

Në mes të muajit nëntor (14 nëntor 2019) ku nga data e nënshkrimit të marrëveshjes kanë kaluar gjithsej 90 ditë pune duke përjashtuar datën 12 gusht (ditë e hëne) që ishte festë zyrtare, edhe pse kompania e kontraktuar ka vazhduar punimet edhe gjatë ditëve të fundjavës.

Bazuar në premtimin e kryetarit Muharremaj punimet e vrazhda të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” duhet të përfundojnë jo më larg se 14 nëntor 2019 e që i bie se periudha 90 ditore e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës duhej të përfundonin.

Sot më 25 dhjetor kanë kaluar gjithsej 118 ditë pune dhe Komuna e Suharekës ka shpërblyer me tender në vlerë prej 69.163,60 euro të njëjtën kompani për punë shtesë në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”.

Ajo çka është për tu habitur është se në tenderin e dytë për punë shtesë të shpallur më 4 dhjetor 2019 Komuna e Suharekës në mesin e afro 70 mijë eurove do të paguajë edhe për furnizimin me material çka kishte paguar në tenderin e parë.

Konkretisht i bie që në tenderin e parë paramasat dhe parallogaritja ishte jo e saktë. Këtu lind pikëpyetja, nëse te Shtëpia e Kulturës kalohen afatet dhe nuk planifikohet siç duhet paramasa, Çka do të ndodh te Sheshi i Qytetit?!