Specialja ua vazhdon masën e paraburgimit edhe për dy muaj Selimit e Krasniqit
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Zëdhënësja e DHSK-së Angela Grip, tha se trupi gjykues ka konstatuar se për të dy të akuzuarit vazhdon të ekzistojë rreziku se ata do të pengojnë ecurinë e procesit dhe ose të kryejnë vepra penale të tjera kundër atyre që konsiderohen se janë kundër UÇK-së, përfshirë dëshmitarë të cilët kanë dhënë dëshmi në çështjen gjyqësore, ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara.
“Trupi Gjykues rikujtoi atmosferën e vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë dhe theksoi se duket se Selimi nxori informacion të privilegjuar për palë të treta të paautorizuara. Trupi Gjykues përfundoi se komunikimet e të akuzuarve mund të kufizohen në një mënyrë që zvogëlon mjaftueshëm këto rreziqe vetëm me anë të zbatimit të kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, ka thënë zëdhënësja e DHSK-së Angela Grip.