Selimi: BE ndau 100 milionë euro tjera për Gjykatën Speciale, një institucion i kthyer në projektuese të padrejtësisë

05.07.2024

Ish-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, ka kritikuar ndarjen e 100 milionë eurove të BE-së për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se kjo gjykatë është kthyer në një institucion projektues për padrejtësi.

Selimi: BE ndau 100 milionë euro tjera për Gjykatën Speciale, një institucion i kthyer në projektuese të padrejtësisë Foto: Ilustrim

“BE sapo vendosi t’i japë 100 milionë euro të tjera Dhomave të Specializuara të Kosovës, një kimerë e një gjykate që ka shpenzuar tashmë 1/2 miliardë në 9 vjet për të ndjekur penalisht disa themelues të grupeve guerile shqiptare, kryesisht rurale. Gjykata Speciale është kthyer në një institucion që projekton mizori dhe padrejtësi”, ka shkruar ai.

Komisioni Europian ka akorduar 97 100 000 euro për Dhomat e Specializuara për periudhën 15 qershor 2023 – 14 qershor 2025.

Këto të dhëna janë publikuar në raportin e vitit 2023 të gjykatës.

“Aktiviteti kryesor për vitin 2023 ishte procesi i miratimit të buxhetit për Kontratën e Gjashtë për  subvencionim të nënshkruar nga Administratorja, në emër të DHSK-së dhe ZPS-së, dhe Komisionit Evropian, si donator i subvencionit.  Procesi u mbyll me sukses me miratimin e buxhetit prej 97 100 000 eurosh për periudhën 15 qershor 2023 – 14 qershor 2025. NJFB-ja punoi me Komisionin Evropian për pagesën e shpejtë të këstit të parë, i cili u mor në qershor 2023. Krahas saj, DHSK-ja administroi fonde në përputhje me Kontratën e Pestë për Subvencionim, që u nënshkrua nga Administratorja në emër të DHSK-së dhe ZPS-së, dhe Komisioni Evropian, për periudhën dyvjeçare 15 qershor 2021 – 14 qershor 2023, në shumën prej 103 279 698 euro. Krahas fondeve të akorduara nga BE-ja, DHSK-ja administroi edhe shumën prej 147 000 euro, të akorduar nga qeveria zvicerane për aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese të DHSK-së në vitet 2022 dhe 2023”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.