PDK-ja dërgon 16 ligje në Kushtetuese, akuzon LVV-në për shkelje të rënda
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka intensifikuar sulmet ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke dorëzuar 16 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, të cilat u miratuan në seancën e fundit të Kuvendit. Këto ligje, sipas PDK-së, janë miratuar me shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se 15 nga këto projektligje janë kontestuar për arsye procedurale, ndërsa Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë është kundërshtuar në tërësi. Tahiri ka shprehur bindjen se të gjitha këto ligje do të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese.
“Seanca e 5 dhjetorit ka vendosur një standard të paprecedent në historinë e parlamentit tonë. Asnjëherë më parë nuk kemi parë një shkelje kaq flagrante të rregullores dhe të kushtetutës. Kjo është një ditë e zezë për demokracinë tonë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kritikuar ashpër edhe Kryeparlamentarin Glauk Konjufca, të cilin e ka akuzuar se ka shkelur në mënyrë flagrante rregulloret e Kuvendit për të penguar opozitën të marrë pjesë në seancë.
“Më bën përshtypje për të keq që një kryetar kuvendi të ketë një sjellje kaq antidemokratike. Ai ka treguar se është më shumë një aktivist partiak sesa një kryetar i një institucioni të rëndësishëm”, ka shtuar Tahiri.
Këto veprime të PDK-së janë interpretuar si një përpjekje për të destabilizuar qeverinë e LVV-së dhe për të fituar përfitime politike.