Dy zyrtarët komunalë të Suharekës të akuzuar për korrupsion hyjnë në negociata për marrëveshje me Prokurorinë
Dy zyrtarët komunalë të Suharekës të akuzuarit për korrupsion, B.B. dhe B. K., të martën, në seancën fillestar janë pajtuar që të hyjnë në negociata për të arritur një marrëveshje me Prokurorinë.
Avokati i të akuzuarit B.B., ka propozuar që kjo seancë të shtyhet nëse prokuroria është e gatshme të u jepet mundësia për negocimin mbi pranimin e marrëveshjes.
I akuzuari B.B. ka deklaruar se pajtohet me propozimin e mbrojtësit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, prej datës 22 maj 2018 deri më datë 22 tetor 2018 në Suharekë, i akuzuari B.B., në cilësinë e menaxherit të kontratës për projektin “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore”, dhe i akuzuari B. K., në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit të njëjtë, kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare lidhur me këtë projekt, duke vepruar në kundërshtim me nenin 61 të rregullave dhe udhëzuesit operativ të Prokurimit Publik pa miratimin e zyrtarit kryesor administrativ – kryetarit të Komunës së Suharekës.
Sipas aktit akuzues, i pandehuri B.K., kishte bërë ndryshime në paramasat dhe parallogaritë e projektit pa miratimin e zyrtarit kryesor administrativ, që është kryetari i Komunës së Suharekës, ndërsa i akuzuari B.B., kishte aprovuar këto ndryshime gjatë ekzekutimit të punimeve.
Në aktakuzë thuhet se, në poligonet sportive në fshatrat Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë, në vend të rrethojave të poligoneve sportive me profile metalike të plastikëzuara, ndryshojnë paramasat në rrethoja – profile metalike të zinkuara. Po ashtu, aty thuhet se në poligonin sportiv në fshatin Buzhalë, ndryshojnë paramasën dhe parallogarinë, ashtu që në vend të shtrimit të fushës me betonarme, bëjnë shtrimin e fushës sportive me bar natyral.