Superliga, FC Ballkani synon të rimarrë kreun

Java e 19-të e IPKO Superligës mbyllet me 3 sfida shumë interesante. Pas fitoreve të Dritës dhe Prishtinës, e diela është dita e Ballkanit që do të kërkojë me çdo kusht të rimarrë i vetëm kreun e renditjes.

Ballkani pret në Suharekë skuadrën e Ferizaj që ndryshe nga Ballkani lufton për mbijetesë.

Objektivi i vetëm për skuadrën e Ismet Munishit në këtë sfidë është fitorja për ta çuar në 3 pikë avantazhin ndaj ndjekësve më të afërt. Në ekranin e Supersport do të transmetohen edhe dy sfidat e tjera të këtij raundi, pikërisht takimet Gjilani-Flamurtari dhe Trepça ’89-Dukagjini.

Skuadra e Gentjan Mezanit e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme vitin 2020 me eliminimin nga Digitalb Kupa dhe humbjen në derbin ndaj Dritës, prandaj në sfidën ndaj Flamurtarit për “skifterat” nuk ka rrugë tjetër veç fitores nëse Gjilani dëshiron të shpresojë ende te titulli kampion.

Një duel për t’i qëndruar sa më larg zonës së ftohtë, është ai ndaj Dukagjinit për Trepça ’89 me skuadrën mitrovicase që do të tentojë fitoren përballë një Dukagjini që është forcuar ndjeshëm në merkaton e dimrit.