Selimi komenton derbin Prishtina – Ballkani: Tifozët do kenë rastin të shohin ndeshje të jashtëzakonshme

Trajneri Musa Selimi ka thënë se ndeshja në mes të Prishtinës dhe Ballkanit do të jetë e jashtëzakonshme dhe nëse fitojnë suharekasit do të jenë shumë afër titullit.

“Profa” ka shtuar se Prishtina e ka përparësinë e terrenit dhe traditës.

Derbi i madh në futbollin e Kosovës do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në mes të Prishtinës dhe Ballkanit. Kjo ndeshje ka zgjuar interesim të madh dhe pritet që edhe stadiumi të jetë i mbushur me tifozë.

Trajneri i njohur në futbollin e Kosovës, Musa Selimi, ka thënë për “Epokën e re” se kjo përballje do të jetë ndër më interesantet në vitet e fundit për faktin se të dyja këto skuadra janë duke luftuar për titull.

“Do të jetë një ndeshje e jashtëzakonshme. Përballen dy klubet që e synojnë titullin në këtë edicion. Ballkani ka treguar formë të mirë dhe nëse e fiton këtë ndeshje, do të jetë edhe më afër qëllimit. Prishtina ka përparësinë e terrenit dhe traditës. E mira e gjithë kësaj është se tifozët do ta kenë rastin të shohin një ndeshje të jashtëzakonshme”, ka thënë Selimi.