Munishi i FC Ballkanit: Për ta fituar titullin kampion duhen 1 milionë euro

31.08.2019

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka vlerësuar se për ta fituar titullin e kampionit të Ipko Superligës së Kosovës në futboll një klub duhet të ketë buxhet minimal prej 1 milionë eurosh. Munishi beson se futbolli kosovar ka shënuar progres viteve të fundit. Sipas tij, përmirësimi më i madh është bërë në aspektin financiar, pasi […]

Munishi i FC Ballkanit: Për ta fituar titullin kampion duhen 1 milionë euro Foto: Ismet Munishi - FC Ballkani

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka vlerësuar se për ta fituar titullin e kampionit të Ipko Superligës së Kosovës në futboll një klub duhet të ketë buxhet minimal prej 1 milionë eurosh.

Munishi beson se futbolli kosovar ka shënuar progres viteve të fundit. Sipas tij, përmirësimi më i madh është bërë në aspektin financiar, pasi që klubet i kanë rritur buxhetet e tyre dhe futbollistët paguhen më shumë.

“Përmirësimi në futbollin kosovar është… pika e parë është buxheti i klubeve. Nëse një klub i ka shpenzuar para tri vjetëve 200 mijë euro ose 250 mijë euro, në këtë sezon do t’i shpenzojë 750 mijë euro”, ka thënë Munishi në emisionin “Favorit”.

“Për ta fituar titullin kampion nevojiten mbi 1 milion euro në vit. Ky është progres i theksuar, janë rritur edhe pagat e lojtarëve. Kosova është bërë atraktive edhe për futbollistët nga Shqipëria, Maqedonia, nga Kroacia dhe për futbollistët afrikanë e trajnerët e huaj”, tha Munishi.

Kampionit të Kosovës i kthehet një pjesë e investimeve në skuadër përmes shpërblimeve financiare që sjell veçanërisht pjesëmarrja në garat evropiane, ku çdo fitore dhe kalimi i secilit rund sjell para në klub nga UEFA. Edhe pse Ballkani e ka nisur mirë kampionatin duke e marrë kryesimin me një fitore e një barazim, Munishi tha se nuk është e drejt të konsiderohet ekipi i tij kandidat për titull kur dihen se çfarë klube tjera të mëdha luftojnë për këtë trofe.

“Ballkani pas dy vitesh besoj se do të jetë në gjendje ta fitojë titullin”, tha Munishi.