06.11.2019, 10:50

Kapiteni i FC Ballkanit i tregon Llapit se çka e pret sot në Suharekë

Dita e sotme do të jetë mjaft e “nxehtë” sidomos në Suharekë, ku do të zhvillohet superderbi FC Ballkani – FC Llapi në kuadër të javës së 14-të në Superligën e Kosovës në futboll.

FC Ballkani në krye me Ismet Munishin do ta presë FC Llapin në shtëpi, po ashtu derbi do të zhvillohet edhe në Prishtinë, ku skuadra e kryeqytetit kërkon ti rikthehet fitores ndaj KF Feronikelit pas barazimit pa gola javën e kaluar ndaj KF Dukagjinit.

Për këtë derbi ka folur edhe kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha i cili para ndeshjes është shprehur se në ndeshjen e sotme ata do të synojnë vetëm 3 pikë.

“Koha ka qenë shumë e shkurtër për përgatitje të mirëfillta për këtë ndeshje. Jemi shumë të relaksuar sa i përket presionit. Ndeshjes do ti qasemi si ndaj çdo kundërshtari tjetër. Skuadra është në formë të mirë dhe kjo na gëzon tej mase. Kur bëjmë lojëra të mirë çdo herë kemi rezultat pozitiv. Andaj edhe nesër do të jemi 100% të fokusuar dhe të dalim nga ky takim me pikë të plota, tha Berisha.

Ndryshe ndeshja e cila vlerësohet si derbi në mes Ballkanit dhe Llapit zhvillohet sot me fillim nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit – Suharekë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.