27.10.2019, 16:55

Ismet Munishi e konfirmon: FC Ballkani për titull kampioni

Deri më tani kanë kaluar 11 javë të Superligës së Kosovës, ku shumë skuadra janë duke luftuar për kreun e tabelës.

Një ndër to është edhe skuadra nga Suhareka, Ballkani e cila ka pasur startin më të mirë ndonjëherë, duke arritur shtatë fitore, dy barazime dhe ka pësuar vetëm dy humbje, kështu duke u renditur në vendin e dytë në tabelë, shkruan KosovaPress.

Trajneri i mirënjohur i skuadrës së Ballkanit, Ismet Munishi u shpreh se e ka pritur këtë start të skuadrës së tij duke parë punën e palodhur që është duke u bërë në Suharekë, duke filluar nga lojtarët e deri te kryesia e klubit.

“Me të thënë të drejtën e kemi prit sepse transferimet që i kemi bo, ndryshimet e strukturës që e kemi bo brenda skuadrës edhe serioziteti që ka, organizimi i mirë që ka skuadra e Ballkanit. Normalisht që e kemi prit këtë sukses…Nuk ka sekret është puna e palodhshme e të gjithëve domethënë prej presidentit e deri tek ne këtu që jemi akterët ne fushë, normalisht që barrën kryesore e kanë lojtarët edhe lojtarët me punën e palodhshme që e kanë bërë edhe normalisht që barrën kryesore tjetër e ka presidenti i klubit, i cili në çdo aspekt edhe organizativ edhe financiar edhe të përkrahjes morale edhe të gjitha ka qenë në nivelin më të lartë”, tha fillimisht ai.

Munishi pohoi se ata të cilët e cilësojnë si befasi skuadrën e tij, nuk e njohin mirë futbollin e Kosovës, dhe sipas tij një numër i madh i opinionit kosovar e mendon një gjë të tillë.

“Duke e parë opinionin e Kosovës që dikush edhe ndoshta nuk e njohin futbollin aq mirë, dikush ndoshta mundet të ketë edhe pak xhelozi, nuk e di domethënë çka janë shkaqet por me i shiku emrat që i kemi në skuadër, me i shiku emrat që i kemi edhe në stafin e trajnerëve edhe seriozitetin e klubit që vjet nuk ka ec klubi mirë domethënë të gjitha gjërat kanë qenë në rregull pavarësisht që nuk ka pasur rezultate por klubi nuk ka pasur traditë në Superligë. Mua nuk më duket befasi, njerëzve tjerë mundet edhe me ju duk befasi, por është punë e tyre.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.