Trajneri i Ballkanit Ismet Munishi: Disa shqiptarë punuan goxha mirë për ta dënuar Skënderbeun në Evropë

Klubi futbollistik nga Suhareka, FC Ballkani tashmë është duke dimëruar si kampion vjeshte, ku në edicionin e Superligës ndodhet në vendin e parë me gjithsej 34 pikë, duke lënë pas Gjilanin me 32 pikë dhe Dritën me 31 pikë.

FC Ballkani falë futbollistëve të talentuar, po ashtu edhe nga super-trajneri Ismet Munishi ka arritur rezultate pozitive, ku edhe po besohet shumë që të dalë me trofe në fundin e sezonit.

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi në një intervistë për “Sport Ekspres” ka komentuar dhe ka bërë një analizë të kampionatit shqiptar, ku ai në fillim ka folur për Skënderbeun, atje ku nuk mund të rrihej pa folur për dënimin.

“Niveli i Superiores është më i dobët se në vitet e kaluara. Kjo pasi nuk ka një super skuadër si Skënderbeu. Kampionati shqiptar është më i varfër dhe nuk e ka atë ekipin e kompletuar që shkonte në Europë.

Po ashtu Munishi ka thënë se të gjithë ne jemi të njohur me rastin e Skënderbeu, që nuk ka pasur asnjë tjetër me atë lloj dënimi në Europë.

“Nuk është dënuar vetëm ky klub, por edhe futbolli shqiptar. Nuk e kanë kuptuar njerëzit në Shqipëri këtë, pasi u shkatërruar lokomotiva e Superiores. Unë mendoj se e kemi lënë pak vetëm Skënderbeun, e kemi lënë si jetim dhe nuk e mbrojtëm sa duhet”, tha Munishi.

“Pastaj kam dëgjuar që ka pasur edhe disa shqiptarë që kanë punuar goxha mirë për ta dënuar Skënderbeun”.

Ndërsa kur flitet për Tiranën dhe trajnerin Egbo, theksi vendoset te fakti se bëhet fjalë për një teknik që ka shumë vite në Shqipëri.

“Puna e trajnerit është specifike. Më vjen mirë për Tiranën dhe që u kthye në garë, pasi është ekip i madh. Egbo nuk është vetëm trajneri i portierëve, e njeh shumë mirë futbollin aty dhe ka vite në Shqipëri”, tha trajneri i FC Ballkanit.

“Nuk ka rëndësi nëse ka stërvitur portierët, futbolli ka vetëm një rrugë dhe një gjuhë. Kush e kupton mirë, ka përparësi. Ka pasur raste kur trajnerët e portierëve janë bërë shumë të mirë në drejtim të ekipit në të kaluarën”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.