FC Ballkani dhe 6 klube tjera formuan Këshillin Organizativ për Reformë dhe Ndryshime Statutare në FFK

07.02.2020

Dje u formua Këshilli Organizativ për Reformë dhe Ndryshime Statutare në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ku ky këshill u formua nga disa klube nga Superliga e Kosovës. Përmes një njoftimi për media, i cili u publikua nga Infokus, shtatë klube kërkojnë ndryshime statutare dhe referoma në FFK, përndryshe kërcënohet me largim nga garat […]

FC Ballkani dhe 6 klube tjera formuan Këshillin Organizativ për Reformë dhe Ndryshime Statutare në FFK Foto: Ilustrim

Dje u formua Këshilli Organizativ për Reformë dhe Ndryshime Statutare në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ku ky këshill u formua nga disa klube nga Superliga e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, i cili u publikua nga Infokus, shtatë klube kërkojnë ndryshime statutare dhe referoma në FFK, përndryshe kërcënohet me largim nga garat e futbollit kosovar.

Klubet që kanë dhënë propozimin dhe formimin e këtij këshilli janë Ballkani, Prishtina, Llapi, Drenica, Ferizaj, Trepça ’89 dhe Flamurtari.

Gazeta Olle sot ka kontaktuar me disa prej klubeve. Kryetarja e klubit të Drenicës, Mihane Bekteshi-Kodra, ka konfirmuar takimin mes klubeve, duke deklaruar se takimi u organizua për ta dhënë ide se si të përkrahen klubet që po investojnë.

“Ne jemi takuar me klubet e apostrofuara, kemi pirë kafe dhe kemi diskutuar për të mirën e klubeve. Assesi nuk jemi kundër kryetarit Ademi apo dikujt tjetër, ne vetëm duam më të mirën për klubet tona. Duam përfaqësim në Komitetin Ekzekutiv, pasi struktura e tanishme nuk na përfaqëson”, u shpreh Bekteshi-Kodra.

“E kam thënë edhe më parë, kemi pasur përkrahje nga federata. Me mjetët e dhëna nga FFK kemi kryer shumë obligime dhe nuk jam kundër që Ademi edhe 10 vjet të jetë kryetar, mirëpo ne duam më të mirën për klubet tona duke pasur përfaqësim dhe mbështetje nga Komiteti Ekzekutiv”, shtoi tutje kryetarja e Drenicës.

Kjo e fundit shpreson që të gjendet një zgjidhje e shpejtë për këtë çështje në mënyrë që të përfitojnë të gjithë.

Edhe pse klubi i Flamurtarit është ndër klubet e shënuara në formimin e këtij këshilli, kreu i Flamurtarit, Ymer Ademi, për Olle ka deklaruar se nuk është pjesë e kësaj nisme.

Emrat e Këshillit për Reforma dhe Ndryshime Statutare në FFK.

1. Remzi Ejupi – Përfaqësues i KF Prishtina
2. Arsim Kabashi – Përfaqësues i KF Ballkani
3. Tahir Batatina – Përfaqësues i KF Llapit
4. Mihane Bekteshi-Kodra – Përfaqësuese e KF Drenica
5. Arian Ymeri – Përfaqësues i KF Ferizaj
6. Abedin Zeka – Përfaqësues i KF Trepca ‘89
7. Imer Ademi – Përfaqësuesit të Flamurtarit.