Presidentja Osmani dhe liderë kosovar urojnë Donald Trump për fitoren
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe akterë politik në Kosovë kanë uruar Donald Trumpin për zgjedhjen president i SHBA-së, i cili pak çaste më parë shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Osmani, në një postim në X, shkruan se në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet e përzemërta Donald Trumpit, për zgjedhjen e tij si president i SHBA-së dhe James David Vance për zgjedhjen si zëvendëspresident.
“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet tona të përzemërta Donald Trumpit dhe James David Vance për zgjedhjen e tyre si president dhe zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara. SHBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, liderin e botës së lirë!”, shkruan Osmani në X.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale. Në një postim në Facebook, Haradinaj vuri në dukje rëndësinë e SHBA-së për Kosovën.
“Nën udhëheqjen e presidentit Trump kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës”, shkroi Haradinaj, duke shtuar se është i bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur.
“Populli i Kosovës ka qenë gjithmonë i bekuar me lidhjen sa të veçantë aq edhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aleatin tonë strategjik të së shkuarës dhe të së ardhmes. Pa SHBA-të, ecja e Kosovës si shtet i ri dhe në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur,” tha Abdixhiku.
“Rizgjedhja e presidentit Trump është dëshmi e forcës së demokracisë amerikane”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se lidhja midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkon gjithmonë përtej politikës.
“Roli i SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit është dëshmi e një raporti të ndërtuar mbi vlera, besim dhe respekt të veçantë”, ka thënë lideri i PDK-së.