Mungesë Provash Lirohet komandanti serb për krimet në Tërrnje të Suharekës

Në prill të këtij viti departamenti i veçantë për krime të luftës i Gjykatës së Lartë të Beogradit e dënoi me 15 vjet burg, Rajko Kozlin, ish pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave, për vrasjen e 15 dhe plagosjen e dy civilëve shqiptarë në Tërnje, afër Suharekës, në mars të vitit 1999.

Sipas vendimit të Gjykatës, ai së bashku me një grup ushtarësh urdhëroi, orkestroi dhe mori pjesë në vrasjen dhe plagosjen e civilëve shqiptarë.

Ish-pjesëtari tjetër i ushtrisë jugosllave, Pavle Gavriloviq u lirua nga përgjegjësia. Asnjë nga anëtarët e familjes së viktimave, të cilët kanë marrë pjesë në shpalljen e vendimit para gjykatës në Beograd, nuk kanë dashur të bëjnë deklarata.

Sipas prokurorisë, Gavriloviq dhe Kozlin si pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave më 25 mars të vitit 1999, kanë marrë pjesë në sulmin në fshatin Tërnje në Kosovë ku janë vrarë 31 civilë shqiptarë mes të cilëve 12 gra dhe katër fëmijë.

Gavriloviq i cili në atë kohë ka qenë komandant i batalionit 549 të ushtrisë, sipas prokurorisë, e ka urdhëruar sulmin pasi ka mbledhur rreth vetes vartësit e tij ndër të cilët edhe Kozlinin dhe i ka urdhëruar ata që ti vrisnin civilët duke iu thënë “nuk duhet të ketë të mbijetuar”. Sipas aktakuzës, Kozlin dhe komandantët tjerë më pas e filluan sulmin.

Në fillim të gjyqit, Gavriloviç dhe Kozlin kishin mohuar fajin. E më 12 dhjetor të këtij viti bëhet e ditur se lirimin e Pavle Gavriloviq e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në Beograd në vendimin, ku sipas kësaj Gjykate në mungesë të provave relevante Gavriloviç lirohet nga aktakuza.

Pas seancës së Dhomave për Krime të Luftës në Gjykatën e Apelit të Beogradit nxori aktgjykimin Kž1 Po2 5/19 më 12 dhjetor 2019, duke refuzuar si të pabazuara të gjitha ankesat dhe duke mbështetur aktgjykimin e parë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.