Ambasadori amerikan në Beograd: Dialogu Kosovë-Serbi aktualisht është në një situatë të vështirë

29.06.2024

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka vlerësuar se dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës aktualisht është në një situatë të vështirë.

Ambasadori amerikan në Beograd: Dialogu Kosovë-Serbi aktualisht është në një situatë të vështirë Foto: Ilustrim

Ai ka deklaruar se aktualisht është pak i dekurajuar pasi përkundër njoftimeve nuk ka pasur takim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Ne vërtet mbështesim dhe vazhdojmë të mbështesim procesin e BE-së dhe dialogun e Brukselit, sepse besojmë se është rruga e duhur, në fakt e vetmja rrugë e drejtë”, citohet të ketë thënë Hill për mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Ai theksoi se duhen bërë përpjekje reale për të arritur njëfarë progresi pasi kanë kaluar shumë muaj gjatë të cilëve nuk është parë shumë përparim.

Siç shkruajnë më tej mediat serbe, ambasadori amerikan theksoi se qëllimet janë shumë të qarta dhe se kërkohet një normalizim i gjithanshëm, i cili është ligjërisht i detyrueshëm.

Ai po ashtu ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor janë një gjë në të cilën ai do të dëshironte të shihte më shumë përpjekje të investuara, si dhe më shumë bashkëpunim rajonal në procesin e integrimeve evropiane.

Ndërsa duke komentuar ngjarjet rreth festivalit “Mirdita, Dobar dan”, ai tha se nuk e kupton pse manifestimi artistik i financuar nga BE-ja është konsideruar si problem sigurie, duke shtuar se festivali ka qenë shumë i suksesshëm gjatë dhjetë viteve të mëparshme.