“A pe shohish?” pjesa II- Rrezik potencial për kalimtarët në rrugën “Nënë Tereza” në Suharekë, mungon reagimi i autoriteteve
Rubrika “A pe shohish?” edhe sot sjell një shqetësim të ngritur nga qytetarët, kësaj radhe nga banorët e rrugës “Nënë Tereza” në Suharekë.
Sipas ankesës së tyre, një objekt i caktuar në këtë rrugë paraqet një rrezik të përditshëm për numrin e madh të kalimtarëve që frekuentojnë zonën.
Banorët kanë bërë të ditur se ankesa lidhur me këtë rrezik i është paraqitur drejtorit të inspektoriatit, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e autoriteteve kompetente.
Kujtojmë tragjedinë e ndodhur në shkurt të këtij viti në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku tre adoleshentë humbën jetën si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar. Kjo ngjarje e rëndë thekson rrezikun që mund të vijnë nga objektet e lëna pas dore.
Banorët e rrugës “Nënë Tereza” shprehin shpresën për një reagim sa më të shpejtë nga autoritetet, para se situata të përkeqësohet dhe të ndodhë ndonjë incident i padëshirueshëm. Ata theksojnë se siguria e kalimtarëve duhet të jetë prioritet.
Mbetet të shihet nëse kjo ankesë publike do të ndikojë në ndërmarrjen e masave të nevojshme nga institucionet përgjegjëse për të vlerësuar dhe eliminuar rrezikun e paraqitur nga objekti në fjalë.